Banka Botërore ka publikuar “manualin” për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe të gjelbër në Shqipëri, ku i kërkon qeverisë të bëjë të detyrueshme sigurimin e banesave nga tërmetet, taksimin e të vetëpunësuarëve dhe diversifikimin e sektorit energjetik në vend.
Ky është programi i parë i BB-së për Shqipërinë në këtë drejtim që vjen me një fond 120 mln dollarë. Të gjitha pikat që sugjerojnë ekspertët e Bankës parashikohet të sjellin rritje të vendeve të punës, përmirësim të kapitalit njerëzor dhe përballueshmëri më të madhe të ndërtesave ndaj katastrofave natyrore, së bashku me disa tema të tjera ndërsektoriale të qeverisjes dhe transformimit digjital.
BB i sugjeron qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore që ta fokusojnë programin e zhvillimit në tre shtylla kryesore.
Ajo e para është forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit qeveritar dhe familjar, forcimin e mobilizimit të të ardhurave, duke përfshirë rritjen e numrit të të vetëpunësuarve që paguajnë taksa, monitorimin dhe zbutjen e rrezikut fiskal të fatkeqësive dhe rritja e efektivitetit të ndihmës për individët me aftësi e kufizuar. Në këtë pikë, Banka kërkon miratimin e një ligji që do të bëjë të detyrueshëm sigurimin e pronës rezidenciale, pra banesave. Po ashtu kërkohet dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për PPP-të dhe procesin e prokurimeve publike.
Shtylla e dytë është ajo e forcimit të tregut energjetik dhe diversifikimin me burime të tjera të rinovueshme dhe përfundimin e projektit të Bursës. Aty thuhet që të gjithë aplikimet në prokurimet publike duhet të përmbushin zotimin e eficiencës energjetike.
E treta është mbrojtja e mjedisit që përforcon qëndrueshmërinë mjedisore dhe një ekonomi më të gjelbër, ku ndotja nga qeset plastike është shumë e lartë. Shqipëria do të prezantojë një ligj për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit (EPR) që të inkurajojë tranzicionin drejt një ekonomie më qarkulluese. Eventualisht Shqipëria do të vendosë dhe taksën e karbonit dhe qymyrit./GazetaSi

