Klevis Lleshi, 24 vjeç është gjetur i groposur në fshatin Shpërdhet në Mamurras. I riu ishte zhdukur pa gjurmë që prej datës 5 gusht të vitit 2020.
Pritet që të kryehet ekspertiza e nevojshme për të nxjerrë më shumë detaje mbi mënyrën e vrasjes së të riut, por paraprakisht raportohet se i riu dyshohet të jetë marrë peng e torturuar për shkak të hakmarrjes 10-vjeçare mes familjes Lleshi dhe Hoxha.
Pas denoncimit të nënës së Klevis Lleshit, prokuroria hapi hetimet, por për muaj me radhë nuk pati asnjë rezultat në gjetjen e vendndodhjes së tij apo të personave që kishin autorësinë e ngjarjes, deri sot, kur u zbulua trupi i 24-vjeçarit.
Klevis Lleshit i është vrarë babai, Xhavit Lleshi në vitin 2013 për gjakmarrje, ndërsa në 2016-ën i është vrarë xhaxhai, Hajredin Lleshi para shtëpisë. Po në vitin 2016, nga familja Lleshi është zhdukur dhe një tjetër person, i cili nuk është gjetur ende.

