Gjykata e Lartë la në fuqi masën e arrestit me burg për Jeton Lamin, ish-efektiv i operacionales i cili u arrestua disa muaj më parë, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e ish-agjentit të operacionales, i cili kërkonte zbutjen e masës së sigurisë.
Ai kërkonte që të vendosej në arrest shtëpie ose detyrim paraqitje. Lami cilësohet si një prej personave kyç që mund të zbardhë misterin e zhdukjes së Ervis Martinajt.
Jeton Lami u arrestua më 24 gusht 2022, me urdhër të prokurorisë së Laçit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe në asnjë moment, nuk ka pranuar të flasë rreth fatit të Ervis Martinaj dhe shoqërimit të tij me këtë person që kërkohet prej shumë muajsh nga prokuroria e posaçme SPAK.
Policia zbuloi se dy njerëzit e fundit që kanë shoqëruar Ervis Martinaj në datën 7 dhe 8 Gusht 2022, kanë qënë punonjësi i policisë Jeton Lami dhe një vajzë.

