Një ukrainase është gjetur e vdekur brenda apartamentit ku banonte në plazhin e Durrësit. 45-vjeçarja, e identifikuar si Natalia F. Yaruseska jetonte vetëm në katin e pestë të një pallati tek zona e Shkëmbit të Kavajës. Por prej disa ditësh nuk kishte dalë nga banesa e saj.
Të shqetësuar për fatin e saj, banorët e pallatit kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës, i cili ka bërë të mundur hyrjen në apartament nga ana e ballkonit. Por në momentin që janë futur në banesë, ukrainasja është gjetur pa shenja jete. Trupi i saj është dërguar në urgjencën e spitalit të Durrësit, e cila ka deklaruar paraprakisht se nga kqyrja e trupit nuk ka shenja dhune në të dhe vdekja e saj është natyrale. Megjithatë, Policia e Durrësit ka nisur hetimet për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes së saj.
Njoftimi: Më datë 10.02.2023, në lagjen nr. 13, Durrës, është gjetur në banesë, pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasja ukrainase N. Y., 46 vjeçe. Paraprakisht dyshohet se 46-vjeçarja e ka humbur jetën nga shkaqe natyrale. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

