Kuvendi i Shqipërisë kishte nisur punimet e seancës plenare, por paralelisht po mbahej edhe protesta e opozitës me sloganin: Faza e dytë e revolucionit.
Tubimi nisi me tensione dhe me përplasje me efektivëve të Policisë së Shtetit dhe qytetarëve, pasi 8 deputetë të Partisë Demokratike nuk u lejuan që të futeshin në sallën e Kuvendit. Bëhet fjalë për deputetët: Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ervin Salianji, Ina Zhupa, Luan Baçi, Tritan Shehu, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati, të cilët janë përjashtuar nga aktiviteti parlamentar për 10 ditë, megjithatë kryedemokrati Sali Berisha u fut.
Bashkë me të edhe Oerd Bylkbashi, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Edi Paloka. Të tjerë, bashkë me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta udhëhoqën qytetarët jashtë. Portestuesit, në tentativën e tyre për të çarë kordonin e Policisë hodhën tymuese, shashka dhe i vunë zjarrin një pemë, ndërsa Forcat Speciale kanë ndërhyrë duke përdorur edhe spraj lotjsjellës në drejtim të protestuesve.
Megjithatë gjithçka u qetësua me nisjen e Kuvendit, të cilën protestuesit po e ndiqnin me një mur LED. Ndërkohë, teksa jashtë protestohej dhe brenda në Kuvend zhvillohej seanca plenare, kryeministri Edi Rama ndodhej në zyrën e tij duke zhvilluar një konferencë për shtyp me kryeministrin e Bavarisë, Markus Sode.
Më pas, ndezi një qiri për viktimat e tërmetit në Siri dhe në Turqi.
Të enjtën do të ketë prapë seancë plenare, e Berisha njoftoi se qytetarët janë gati të hyjnë brenda në sallë dhe të zhvillojnë një grevë urie.
Numri një i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se të gjitha zhvillimet nuk kishin lidhje me çështjen e Charles McGonigal por me hetimet e SPAK për çështjen e Gërdecit dhe të tjera aferave që sipas tij, Berisha dhe familjarët e tij janë të përfshirë.
Rama ende nuk ka bërë asnjë reagim.

