Ish-zyrtarja e Kryeministrisë Alda Klosi kërkon masë më të lehtë sigurie. Ditën e sotme është hedhur shorti, i cili ka vendosur që çështjen në Apel do ta shqyrtojë gjyqtarja Irena Brahimi. Alda Klosi akuzohet për pastrim parash, deklarim të rremë para oficerit gjyqësor dhe fshehje pasurie.
Ish-zyrtarja kërkon lirinë në Gjykatën e Apelit me argumentin se ka 2 fëmijë të mitur. Ajo ka deklaruar se ka në kujdestari edhe nënën e saj të verbër. Klosi përfundoi pas hekurave pas dëshmisë së pastrueses së saj Rozeta Dobi, e cili grabiti në shtëpinë e ish-zyrtares rreth 120 mijë euro.
Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit ka marrë një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove, burimi i të cilave nuk dihet. Këto para edhe pse kanë kaluar 2 javë që prej zbulimit të vjedhjes, nuk dihet se ku i ka gjetur Alda Klosi. Ajo po hetohet gjithashtu nga prokuroria.
Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri.
Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në Polici. Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë disa javë më parë në SHBA, ku edhe po kurohej. Megjithatë duket se as i ndjeri nuk i justifikonte dot paratë, pasi e mbesa është vendosur në pranga.

