Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta Meta ka pranuar se ka pasur lidhje miqësore me Agron Nezën, njeriun që identifikohet si ‘Personi A’ në dosjen e ish-agjentit Charles McGonigal. Në një konferencë me gazetarët, Meta tha se Nezën e ka njohur përmes vëllait të tij të ndjerë. Ndërsa Rossinin tha se nuk e ka njohur, por ka dëgjuar për të kur ka hedhur akuza ndaj kryedemokratit Sali Berisha.

Pjesë nga prononcimi i Metës:
Çdo foto që ka me mua, çdo njeri në Republikën e Shqipërisë është i lirë ta publikojë. Është foto e 10 viteve më parë. Ka edhe përfaqësues diplomatik. A është Rossini aty? Nuk e di. Kur më ftojnë unë nuk i pyes kë marrim me vete. Se kush është Rossini unë e di për shkak të angazhimit të tij pro Ramës, që e akuzonte Berishën si njeri të Putinit. Sa i takon z. Neza njohja ime me të është e vjetër për arsye se të ndjerin vëllain e tij Agim Neza ka qenë njeri shumë i afërt i imi, ka qenë zëdhënësi im. Kemi pasur marrëdhënie shoqërore dhe njerëzorë. Por asnjëherë nuk i kam kërkuar asnjë favor.
Agron Neza dhe Dorian Duçka, të identifikuar si personat ‘A’ dhe ‘B’ në dosjen e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal kanë darkuar gjithashtu me kreun e Partisë së Lirisë. Fotoja është publikuar nga emisioni “Top Story” pas ditë më parë. Dosja McGonigal është aktualisht ‘karta’ e Opozitës kundër kryeministrit Edi Rama.
Ç’ndodhi me dosjen e McGonigal?
FBI arrestoi ish-zyrtarin e lartë të kësaj strukture, Charles McGonigal. Në dosje shkruhet e zeza mbi të bardhë se McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal, duke pretenduar se nuk ka dijeni për asgjë, por që nga momenti i publikimit të dosjes dhe deri më sot, lidhur me ngjarjen nuk ka pasur asnjë reagim nga Ambasada Amerikane. Ndryshe nga shumë herë, ambasadorja Yuri Kim ka zgjedhur që të heshtë.

