Prokuroria Speciale SPAK kërkon burgim të përjetshëm për Ardian Çapjan, i akuzuar për vrasjen e babë e bir Nezir e Gentian Beqirit në Elbasan në vitin 2012. Në pretencën e dhënë sot, SPAK kërkon edhe 25 vite burgim për Florenc Çapja, burgim të përjetshëm për Olsi Lekun, 6 vite burg për Ervis Bardhin, 20 vite për Klajdi Dokollin dhe 20 vite për Etien Canin.
PRETENCA E SPAK:
Ardian Capja burg përjetë
Florenc Capja 25 vjet
Olsi Leku burg përjetë
Ervis Bardhi 6 vjet
Klajdi Dokoli 20 vjet
Etien Cani 20 vjet
Të gjithë këta persona janë të dyshuar për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit. I akuzuari kryesor për vrasjen, Ardian Çapja ka pretenduar në seancat e mëparshme para Gjykatës së Posaçme, se është i pafajshëm duke këmbëngulur në alibinë se ishte jashtë Shqipërisë.
Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit?
Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.

