Kryedemokrati Sali Berisha ka bërë një tjetër reagim për dosjen e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal dhe takimet e tij me kryeministrin Edi Rama. Në një postim në Facebook, Berisha pyet nëse SPAK është gjallë, referuar mosnisjes së hetimeve për këtë çështje. Berisha shton se Rama korruptoi FBI-në, tentoi të ‘vrasë’ opozitën dhe minoi demokracinë, por për të s’ka asnjë hetim.
“Korruptoi FBI-në, tentoi të vras opozitën dhe minoi demokracinë. A është gjallë Spak? Jo, jo është Skap!”- shkruan Berisha.
Ç’ndodhi me dosjen e Charles McGonigal?
Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal, ndërsa Opozita ka zhvilluar protesta dhe kërkon largimin e Ramës.

