Ruth Abongo, nëna e Joy Aoko, vajzës nga Kenia që erdhi për tu punuar në Shqipëri, por përfundoi e vdekur ka zbuluar të tjera detaje rreth jetës së të bijës në vendin tonë. Në një rrëfim për News24, Abongo ka rrëfyer çastet e fundit me të bijën. Ajo tha se ditët e fundit ajo lëvizte kokën, dhe se kur e pyeste e shikonte në sy. Nëna e të resë shton se e pyeti nëse donte që të takonte të motrën dhe Joy kishte konfirmuar me kokë. Ruth Abongo tha se ndihej mirë kur mësoi se ditën e sotme do të mbahen një protestë në Tiranë, për të kërkuar që drejtësia të shkojë në vend dhe të zbardhet autori apo autorët që e dhunuan.
“Mendoj se është ide e mirë dhe doja të falënderoj shqiptarët që kanë organizuar këtë protestë. Faleminderit që tregoni humanitet, është një fund vërtet i trishtueshëm. Uroj dhe lutem që protesta vërtetë të organizohet sot në Tiranë. E di që ka një fuqi të Zotit dhe ka fuqi në zërin e njerëzve. Ka dhe pushtet të policisë. Jam e sigurt që zëri i njerëzve do të jetë më i fortë. Me këtë e di që policia do të ndihet fajtore. Policia e di të vërtetën por nuk do të vazhdojë me hetimin. Ata e mbajnë informacionin për vete. Me çfarë i ndihmon kjo gjë? Vetëm drejtësia ndihmon për Joy-in. Policia e Shqipërisë, gjyqësori. Ju mund të transferoni policë por e vërtet do të dalë në shesh. Kam shkuar te policia, gjyqësori dhe informacioni që kisha nevojë të dija prej tyre, ata nuk e ndanë me mua. Nëse ata duan, mund të japin drejtësi. Fatkeqësisht ajo nuk foli. Përpara se të vdiste, filloi të reagonte. Ditën e fundit më 12 shkurt, e vizitova atë. Kishte probleme me frymëmarrjen, nuk ishte rehat dhe lëvizte kokën. Më parë flisja me të. E pyeta atë ‘Yoi- vajza ime, si ndihesh? Më shiko në sy’, por nuk më pa në fytyrë. I thashë se e dua dhe i thashë se uroj që ta shihja sërish ditën tjetër. E pyeta nëse donte të shihte motrën e saj dhe tha po. Ky ishte komunikimi i fundit,”- tregoi nëna e 22-vjeçares.
Joy Aoko ndërroi jetë në Kenia, ku u transportua në gjendje kome, disa muaj pasi ndodhej e shtruar tek Trauma. Joy ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejashme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë ne derën e rezidencës ku jetonte. Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana. Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë. Deri më tani s’ka asnjë person në pranga të lidhur me ngjarjen.

