Një natë tmerri ishte 21 shkurti për banorët e zonës në Nea Ionia, kur në një kafene të mbushur plot me njerëz, nisi përplasja me armë zjarri nga dy banda. Një burrë, i cili ndodhi në vendin e gabuar në kohën e gabuar, u qëllua për vdekje. Ishte një 39-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Pëllumb Islami, por të gjithë e thërrisnin Sandri dhe sipas informacioneve ishte me profesion hidraulik.
“Ai kishte shkuar për të parë ndeshjen dhe në tavolinën ngjitur po debatonin,”- tha motra e viktimës.
Gjithçka nisi pak para orës 12:00 të mesnatës, kur një grup prej katër personash shkuan në një dyqan lokal dhe më pas erdhën tre persona të tjerë. Për një arsye që ende nuk dihet ata u grindën dhe tensioni u përshkallëzua shumë shpejt, me një nga 7 që nxorri armën dhe qëlloi.
Një nga plumbat kapi 39-vjeçarin e pafat, duke e goditur në klavikul.

Mediat greke kanë bërë një skemë 3D të gjithë ngjarjes brenda në lokal, ku duket qartë sesi shqiptarin e ka kapur pa dashje një plumb teksa ishte i ulur në tavolinën e tij. Në ngjarje mendohet se kanë qenë të përfshirë 7 persona, por dyshohet se të gjithë që në momentin e vrasjes janë nisur për në Shqipëri në mënyrë që t’i fshiheshin Policisë greke, për të cilën ishin shumë të njohur. Ata janë të trajnuar për të qenë truproja, por ajo që bëjnë në të vërtetë është kontrolli i trafikut të drogës dhe prostituimi! Ata janë 7 shqiptarë, drejtohen nga Erlis Salaj dhe janë vetëquajtur ‘Team L’ (Skuadra L), të cilin e kanë bërë të gjithë edhe tatuazh në trup. Një tjetër anëtar i grupit është identifikuar si Julian Qose, ndërsa pesë të tjerëve nuk u dihen ende emrat.

