Numri i konfirmuar i vdekjeve në Turqi dhe Siri tani ka tejkaluar 50,000 si pasojë e tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit.
Teksa shpresat për të mbijetuar të tjerë nën rrënoja janë shuar plotësisht, autoritetet po zgjerojnë hetimet për ndërtesat e shembura. Aktualisht më shumë se 600 njerëz po hetohen në Turqi për ndërtesat që u shembën nga tërmeti vdekjeprurës.
Të shtunën, Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag tha se 184 të dyshuar u vunë në pranga përfshirë kontraktorët e ndërtimit dhe pronarët e pronave.
Për vite me radhë, ekspertët paralajmëruan se korrupsioni endemik dhe politikat e qeverisë nënkuptonin se shumë ndërtesa të reja ishin të pasigurta. Mes të arrestuarve është edhe një kryebashkiak i një prej qyteteve afër vendit ku goditën lëkundjet, raportojnë mediat turke.
Më shumë se 160,00 ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë në Turqi pas tërmeteve, duke ngritur pikëpyetje nëse ndikimi i fatkeqësisë natyrore u përkeqësua nga dështimet njerëzore. Partitë e opozitës dhe disa ekspertë ndërtimi akuzojnë administratën e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për dështim në zbatimin e rregulloreve të ndërtimit dhe përpjekje për të larguar fajin e përgjithshëm për katastrofën.
Ata thonë se politikat e qeverisë kanë lejuar të ashtuquajturat amnisti për kontraktorët që kanë shkelur rregullat e ndërtimit, në mënyrë që të inkurajojnë një bum ndërtimi, duke përfshirë rajonet e prirura nga tërmeti.

