Një 40-vjeçar shqiptar është përfshirë në një sherr masiv në Ankona të Italisë, ku pas dhunës së ushtruar ndaj tij ai ka përfunduar në spital me dhëmbë të thyer dhe fraktura në trup.
Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës pranë një klubi nate ku shqiptari po kalonte mbrëmjen.
Gjithçka nisi pak pas mesnatës, ndërsa ngjarja është parë nga një kalimtar i rastit, i cili ishte dëshmitar i dhunës së ushtruar ndaj shqiptarit nga disa persona të tjerë.
40-vjeçari shqiptar ishte shtrirë në tokë dhe tentonte të ngrihej, ndërsa kalimtari ka njoftuar menjëherë policinë.
HETIMET
Autoritetet italiane kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Edhe pse i dhunuar, shqiptari ishte i vetëdijshëm dhe madje arriti që të tregonte të gjithë skenën.
Sipas dëshmisë së tij, ai “ishte me disa njerëz duke pirë në lokal”.
Mediat raportojnë se debati ka nisur fillimisht brenda lokalit, më pas ka degjeneruar në dhunë jashtë ambienteve.
Dhuna ka qenë tepër e ashpër, aq sa shqiptarit i thyen dhëmbët dhe i shkaktuan plagë në trup. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, por personat ishin larguar.

