Akademia e Shkencave iu është përgjigjur akademikut Artan Fuga pasi ky i fundit ngriti pretendimet për ligjin e drejtuesit të institucionit. Në një sqarim të gjatë në ‘Facebook’, Akademia e Shkencave përgënjeshtron tri pohimet e akademikut Artan Fugës.
Kryesia e Akademisë thotë se nëse pretendimi i Fugës do ishte i vërtetë, ky i fundit nuk do mund të shpallte kandidaturën e tij. Kjo “përplasje” në distancë vjen pasi akademiku Fuga teksa shpalli kandidaturën e tij për Akademinë e Shkencave u shpreh se në këtë institucion ka një ligj i cili i bën drejtuesit e “përjetshëm” mandatin e tyre.
Akademia shton se ligji është produkt i vetë Asamblesë e votuar me bindje të plotë. Në njoftim sqarohet se nëse nuk do të ishte ndryshuar ky ligj, sot Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç).
REAGIMI I PLOTË:
Në respektim të etikës akademike dhe të opinionit publik, ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj e veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri dhe jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta.
Ligji i ri është produkt i vetë Asamblesë së Akademisë së Shkencave (vetëm me një votë kundër), i hartuar nëpërmjet një procesi publik mbi njëvjeçar, në bashkëpunim me institucione prestigjioze si ALLEA (All European Academies) e Akademia “Leopoldina” e Gjermanisë dhe e miratuar nga Kuvendi në sajë të kontributit të deputetëve, shumicës së tyre, të cilët e votuan me bindjen e plotë se ky ligj do të ishte baza e ndryshimit të shumëpritur, dhe arritjet e gjithanshme, në këto 3 vjet, të vlerësuara nga tërë institucionet bashkëpunuese me Akademinë e Shkencave, e dëshmojnë këtë pritshmëri.
Me këtë qëndrim Kuvendi ndali platformën e propozuar në rrugë private, nëpërmjet lobimeve jashtë-institucionale nga anëtari në fjalë, e cila, të vetmen “risi” kishte privimin nga e drejta e votës e akademikëve mbi 68 vjeç. Gjithkush e kupton se një propozim i tillë është dhunë e vërtetë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH. Efektet e një mase të tillë për interesa të qarta politike u provuan më 2007, e këtë model të z. Fuga Perëndimi e ka dënuar si të paprecedent, me akte të veçanta të ALLEA-s, dhe Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues.
Në rast se deputetët do t’i bindeshin lobimit për platformën, sot z. Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç), të vënë nga ai për të tjerët 4 vjet më parë. Ligji i ri e Statuti i dalë në zbatim të tij garanton kandidimin e lirë të çdo anëtari të Asamblesë dhe zgjedhjen e akademikëve të rinj e të organeve drejtuese prej vetë Asamblesë e jo prej komisioneve qeveritare, siç do të impononte “modeli” i platformës. Për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave nuk ka pasur në asnjë rast ankesë për shkelje procedure, deformim vote a moslejim kandidimi, përveç virtualisht nga anëtari i vetëm që s’merr pjesë në votim.
Sa u përket mandateve të anëtarëve të Kryesisë, si ligji i ri, dhe ai i mëparshëm e amendamentet që po shqyrtohen, kanë pasur e kanë të drejtën dhe kufizimin për dy mandate e jo më shumë për të njëjtin funksion. Kryesa e Akademisë së Shkencave Tiranë, 28 shkurt 2023.
Artan Fuga shpalli kandidimin për kryetar të Akademisë së Shkencave përballë Skënder Gjinushit. Ai bëri publike 3 objektiva për të cilat thotë se nuk do i braktisë kurrë. Skënder Gjinushi u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave në maj të vitit 2019. Artan Fuga e kundërshtoi që atëherë procesin për zgjedhjen e tij.

