Parlamenti pritet të kalojë për miratim në seancë plenarë projektligjin “Per tarifat gjyqesore”.
Por një grup organizatash të shoqërisë civile me përvojë disa vjeçare në ofrimin e ndihmës juridike për njerëzit në nevojë i kanë paraqitur parlamentit shqetësime që lidhen me përmbajtjen e projektligjit “Për tarifat gjyqësore”.
Ato gjykojnë se disa dispozita të këtij projektligji cënojnë rëndë aksesin në drejtësi të qytetarëve dhe më në veçanti të shtresës më në nevoje në shoqëri. Duke evidentuar dhe problematikat kryesore
Ekspertët ligjor të organizatave kanë paraqitur me anë të një propozimi se çfarë duhet të ndryshojë konkretisht në projektligj.
Kufizimi i aksesit në Gjykatë-
Vendosja e tarifës maksimale të tarifës prej 20.000.000 lekësh përbën një limit maksimal shumë të lartë dhe të pajustifikuar, i cili që i vendoset një subjekti që fillon një proces gjyqësor për të kërkuar rivendosjen e një të drejtë ose interesi të ligjshëm të shkelur.
Parashikimi i një limiti të tillë, mundëson vendosjen e tarifave gjyqësore të papërballueshme për subjektet që i drejtohen gjykatës, duke cënuar të drejtën kushtetuese për akses në gjykatë, në kuadrin e procesit të rregullt ligjor. Për rrjedhojë, vendosja e tarifës maksimale të tarifës prej 20.000.000 lekësh, nuk është në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe të garancisë së të së drejtës për akses në gjykatë;
Kufizimi i ankimit në gjykatat e Apelit dhe Gjykatën e Lartë
Në analizimin që organizatat e shoqërisë civile i kanë bërë projektligjit “Për tarifat gjyqësore”, në vlerësimin e tyre dispozita ligjore që parashikon gjykimin në gjykatat e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë kufizon të drejtën e shtetasve për akses në drejtësi. Përkatësisht në nenin 5, pika 3, parashikohet: “Tarifa gjyqësore për gjykimet në gjykatat e apelit dhe Gjykatën e Lartë është jo më e ulët se 2000 lekë dhe jo më e lartë se 10.000.000 lekë”. Nga krahasimi i tarifës aktuale për pranimin e ankimeve kundër vendimeve të gjykatës (e cila është në vlerën 200 lekë) me tarifën e ankimit dhe të rekursit të propozuar në këtë projektligj (e cila varion nga 2000 lekë e deri në 10.000.000 lekë) vihet re një rritje maksimale e saj.
Legjislacioni në fuqi e vlerëson pagesën maksimale të tarifës 1% të vlerës së padisë, si një tarifë të vetme për të gjithë procesin gjyqësor, pasi ky i fundit vleresohet si një i vetëm, pavarësisht se zhvillohet në 3 – 4 shkallë gjykimi. Kësaj tarife që paguhet në shkallë të parë i shtohet dhe një pagesë “taksë pulle” prej 200 lekësh për cdo ankim deri në Gjykatë të Lartë (apel dhe rekurs). Projektligji i propozuar për miratim parashikon përveç pagesës deri në masën 20.000.000 lekë në shkallë të parë, edhe një pagesë deri në masën 10.000.000 për çdo ankim deri në Gjykatë të Lartë (apel dhe rekurs).
Ky parashikim në projektligjin e fundit, është vazhdimësi e parashikimit të projektligjit të mëparshëm, i cili parashikonte pagesën e 0.5% të vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë dhe në Gjykatën e Lartë (Kjo tashmë mund të vendoset me udhëzim brenda limiteve të ligjit).

Në këtë mënyrë, projektligji parashikon që në nivel maksimal, tarifa gjyqësore për paraqitjen e ankimit dhe rekursit do të jetë sa ½ e tarifës për inicimin e procesit në shkallë të parë. Sa më sipër, përbën një kufizim së të drejtës të ankimit dhe rekursit, nëpërmjet kushtëzimit të pagesës të një shume deri sa ½ e shumës së paguar për inicimin e gjykimit, ndërkohë që shqyrtimi gjyqësor është një proces i vetëm dhe shqyrtimi në apel dhe në Gjykatë të Lartë, përbëjnë vetëm dy mjete të kontrollit të ligjshmërisë së vendimit të gjykatës më të ulët.
Siguria juridike, interesi publik dhe proporcionaliteti
Parashikimi në projektligjin e ri i tarifës nga 2.000 lekë deri në 10.000.000 lekë për të paraqitur ankim dhe rekurs, nga 200 lekë që është me parashikimin nënligjor aktual, përbën një ndryshim jo proporcional dhe të pajustifikuar nga interesi publik. Për rrjedhojë, mosplotësimi i këtyre dy kushteve në mënyrë kumulative do të përbënte cënimin e parimit të sigurisë juridike nëpërmjet miratimit të këtij parashikimi ligjor.
Kufizimi i të drejtës së ankimit të paktën në një shkallë më të lartë
Me Kushtetutë në nenin 43 kujtdo i garantohet e drejta për t’u ankuar të paktën një herë kundër çdo vendimi gjyqësor të dhënë ndaj tij. Kjo garanci e rëndësishme kushtetuese është edhe një tejkalim pozitiv krahasuar me standardet që ofron në këtë drejtim Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut”4 . Në këtë mënyrë, e drejta për t’u ankuar të paktën një herë, nuk mund të jetë kufizohet nëpermjet vendosjes së tarifave, për më tepër të llogaritura në maksimum deri në masën e ½ të tarifës së përcaktuar për inicimin e procesit në shkallë të parë. Për gjykimin në Gjykatën e Lartë mund të caktohen tarifa më të larta në krahasim me gjykimin në apel (po asnjëherë në nivelet që aktualisht propozohen) pasi; së pari, neni 43 i Kushtetutës ka parashikuar të paktën një mjet ankimi dhe në bazë të K.Pr.Civile dhe Ligjit për Gjykatën Administrative, është caktuar Gjykata e Apelit; dhe së dyti, mbi bazën e dy ligjeve të cituara e drejta e rekursit në Gjykatë të Lartë është kufizuar vetëm për shkaqe shumë specifike. Nisur nga këto argumenta ligjor përfaqësuesit e organziatave të shoqërisë civile kërkojnë që të merren në konsideratë propozimet për ndryshime.
Ata kanë kërkuar që të marrin pjesë për këto ndryshime në një seancë dëgjimore nga Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të
Njeriut.

