Kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka deklaruar se Dan Hutra, autori i masakrës së Paskuqanit ka bashkëpunuar me autoritetet. Në një prononcim për mediat, Vocaj tha se policia kushte prova të pakundërshtueshme për krimet e kryera. Megjithatë, ai shtoi se bashkëpunimi i Hutrës nuk ka munguar.
Pjesë nga prononcimi:
Pyetje: Çfarë ka deklaruar autori i tre vrasjeve dhe tre plagosjeve, lidhur me dinamikën e krimit dhe me arsyet që e shtynë të bëntë këtë krim?
Tonin Vocaj: Mbrëmë është marrë një deklarim i hollësishëm lidhur me dinamikën e ngjarjes. Për shkak të sekretit hetimor nuk bëj dot të ditur përmbajtjen e deklarimit, por dua të them që autori i kësaj ngjarjeje ka qenë bashkëpunues me policinë. Ka dhënë të gjithë dinamikën e ngjarjes që unë deklarova dje para jush. Dhe pse dua të theksoj se për të gjitha krimet kishte prova të pakundërshtueshme. Por sërish, unë dua të them që ka bashkëpunuar me policinë.
Masakra ndodhi mesditën e djeshme. Hutra, i sapo dalë nga burgu ku ishte futur që në vitin 2007 pasi kishte vrarë gruan e tij të parë, kishte marrë peng njërën nga kunatat dhe kishte përdhunuar tjetrën, shkaktoi një masakër. Ai qëlloi me armë zjarri në drejtim të familjarëve të gruas së tij dhe la të vdekur motrën e gruas, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafkun, (e fejuara e vëllait të gruas). Të plagosura mbetën dhe dy të tjera, Elena Hysa, 35 vjeçe, gruaja e Hutrës dhe Kujtime Hysa 60 vjeçe, nëna e gruas. Hutra s’u ndal me kaq. Për hakmarrje, ai vrau me armë zjarri edhe Etleva Kurtin, motrën e Vladimir Kurtit që është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e Agim Buçit. Më pas, plagosi të dashurën në Astir, Marjana Gurakuqi. Dan Hutra u arrestua në Sharrë, pas 7 orësh arrati dhe u shpreh se gjithçka që kishte bërë, e kishte bërë se kishte dashur.

