Dy palët e Partisë Demokratike ndodhen në ambientet e Gjykatës së Apelit, në pritje të vendimit të trupës gjykuese se kujt i përket vula e partisë opozitare më të madhe në vend. Siç shihet në foto, jashtë dyerve të gjykatës së Apelit ndodhen anëtarët e dy grupeve të PD-së, ndërsa në ambientet e brendshme janë edhe avokatët mbrojtës të dy palëve si dhe përfaqësuesja e ambasadës amerikane.
Gjyqtari Rezart Kthupi shihet teksa komunikon në telefon, ndërsa sekretarja shihet të jetë lodhur nga i gjithë ky proces.

Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi herë duket i qeshur e herë i konfuzuar.

Gjykata e Apelit është tërhequr për vendim. Ajo do të vendosë mbi ankimimin e Alibeajt ku kërkohet rrëzimi i vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e kuvendit të 11 dhjetorit si legjitim. 3 janë skenarët e sotëm që priten nga kjo gjykatë, në një kohë kur shtyrja e dhënies së vendimit do të vështirësonte regjistrimin e PD pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur kanë ngelur vetëm 3 ditë nga afati. E para që Apeli të lërë në fuqi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, e dyta, që vendimi i Zhukrit të zhbëhet dhe të pranohet ankimi i Alibeajt dhe opsioni i tretë që çështja të kthehet sërish për gjykim në Themel.


