Me gjakun e 3 viktimave të tij në bluzë, Mevlute Hysës, Hasime Dafkut dhe Etleva Kurtit, killeri Dan Hutra, e ka pranuar autorësinë e vrasjeve, duke pohuar se kishte arsye për ti bërë dhe se faji nuk bie mbi të, por mbi sistemin e drejtësisë. Në seancën e sotme, ai u paraqit me një bluzë sportive me kapuç, ku dukeshin njollat e gjakut. Hutra pranoi fajësinë për vrasjet ndërsa gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat. Përtej kërkesës së faljes dhe mungesës së pendesës, Hutra deklaroi se edhe 5 herë të dënohej me burgim të përjetshëm, nuk do të pendohej dhe do ti bënte sërish vrasjet e të mërkurës.

3 vrasjet e Dan Hutrës- Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi Elenën dhe nënën e saj, Kujtimen.Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. 31-vjeçaren e vrau në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte gjatë kohës që kishte qenë në burg. Arratia e Dan Hutrës mori fund gjatë orëve të pasdites. Pa shkuar ende ora 19:00, ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës.Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën, tentativë që fatmirësisht dështoi. 40-vjeçari, një person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje, nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.

