Gazetarja Klodiana Lala ka folur sërish për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt. E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, gazetarja Lala tha se duke qenë se çështja po shtyhet, po anon më shumë peshorja për zhdukjen e tij. Megjithatë, sipas saj, për të shmangur edhe mundësinë e inskenimit, po i goditen “krahët” dhe po i sekuestrohet pasuria, në mënyrë që të rishfaqet.
“Policia po përpiqet që të tregojë se ne po punojmë. Zhdukja e tij në këndvështrimin tim është një nga ngjarjet më të vështira për t’u zbardhur nga Policia. Për këtë arsye është sfidë. Policia është shumë larg për të zbuluar fatin e tij. Nuk janë fare pranë zbardhjes. Që të thuash nëse është inskenuar dhe ta kapësh dhe ta arrestosh, ose të gjesh trupin. Policia po godet të gjithë njerëzit pranë tij, i ka sekuestruar edhe paratë. Por fakti që nuk ka asnjë lëvizje…në fakt nuk përkthehen dhe nuk ka prova të tjera. Jeton Lami vendosi të mos fliste, tha e kam shoqëruar, por e nuk di asgjë. As ai nuk dha asnjë detaj. Kam bindjen që nëse Lami do të zbërthehej do të tregonte të vërtetën dhe do zbardhte ngjarjen. Fakti që po vonon shumë, duket se po shkon në favor të zhdukjes. Vetëm ndonjë i penduar mund të hedhë dritë mbi ngjarjen,”-tha Lala.
Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.
Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë gjurmë. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version. Ish-efektivi Jeton Lami që u arrestua pas zhdukjes së tij është personi kyç që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit, por efektivi deri më tani nuk ka hapur gojë.

