Makina e personave që kryen masakrën në lokalin e Fatjon Muratit, ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja është filmuar nga disa kamera sigurie në mbikalimin e Rinasit vetëm 10 minuta para se të ndodhte ngjarja. Sipas raportimeve, e gjithë rruga, nga Rinasi në drejtim të lokalit, zhvillimi i ngjarjes dhe kthimi i largimi sërish në drejtim të aeroportit, ka zgjatur vetëm 30 minuta. Ndërsa për atentatin janë dashur 23 sekonda. Kjo përllogaritje bëhet duke marrë parasysh se 30 minuta më vonë, e njëjta makinë, është kapur nga të njëjtat kamera, por në drejtim të kundërt, duke u larguar.
Hetuesit dyshojnë që lokali ka qenë i vëzhguar dhe autorët kanë pasur informacion te plotë për personat që ishin brenda. Brenda në lokal ka qenë edhe vëllai i Fatjon Muratit, Ervis Murati, ndërsa djali i xhaxhait të tij, është futur brenda ambienteve në momentin që ka është informuar për ngjarjen.
Frika kryesore e autorëve ka qenë një shkëmbim zjarri, ndaj momenti perfekt për të sulmuar, ka qenë nisja e ndeshjes Juventus-Sampdoria. Kjo bëri që të gjithë të pranishmit në lokal, të afërm e miq të Muratit, të gjendeshin të papërgatitur.
Masakra ndodhi pak ditë më parë në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 60 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Murati tashmë është shpallur në kërkim.

