Kreu i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka komentuar akuzat e deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pas vendimit për të mos e regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Në një konferencë për shtyp, Celibashi bëri me dije se gjuha e përdorur nga Bardhi është e patolerueshme.
“Për këdo që e ka njohur karrierën time e di shumë mirë që unë në çdo pikëpamje nuk jam i shantazhueshëm dhe kam dedikimin profesional për të respektuar ligjin. Zbatimi i ligjit dhe korrektësia në zbatimin e saj ka qenë shtylla kurrizore e punës sime. Më vjen keq që zoti Bardhi e sheh të pabazuar vendimin tim. Gjuha e përdorur e pa tolerueshme. Nuk i bën nder figurës së tij. Nuk e gjen asgjë të thotë vlerësojmë se një vendim i tillë nuk është marrë në përputhje me kodin dhe kjo do ishte e mjaftueshme. Kam keqardhje për kaosin politik në të cilin ndodhet PD-ja por vendimi është marrë tërësisht në përputhje me kodin zgjedhor. Rati i Partisë Demokratike nuk lë vend për interpretim,”-tha Celibashi.
Asnjë nga Partitë Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi është marrë nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Sot, sipas KQZ, legjitimitetin për të kërkuar legjitimitetin për regjistrimin e PD në zgjedhje e ka Lulzim Basha, i cili ligjërisht figuron kryetar, edhe pse ka dhënë publikisht dorëheqjen. Por problem është fakti që Basha nuk ka firmosur deklaratën solemne për regjistrimin në zgjedhje.

