Policia italiane ditën e sotme ka finalizuar operacionin “Cocktail”, duke arrestuar 24 persona mes të cilëve edhe një shqiptar. Po ashtu janë sekuestruar 94 kg kokainë, 1.200.000 euro cash, 3 pistoleta, rreth 200 municione.
Operacioni i koordinuar nga Prokuroria Publike e Monzës në Itali bëri të mundur asgjësimin e një grupi të mirëorganizuar italo-shqiptar të përfshirë prej vitesh në trafikun e drogës.
Gjatë hetimeve u zbulua se roli kryesor në importin e kokainës i takonte shqiptarit, Vladimir Cara, ndërsa Aldo Conti, sicilian, kujdesej për fazën e pastrimit të parave përmes ambienteve publike.
Përveç të tjerave të dyshuarve u sekuestruan pasuri të luajtshme, pasuri të paluajtshme dhe gjashtë biznese që operojnë në sektorin e hotelierisë.

