Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit që dënoi me 6 muaj burg, ish anëtarin e KPA-së, Luan Daci, dënim që iu konvertua në 1 vit shërbim prove. Daci bëri recur të këtij vendimi dhe Gjykata Kushtetuese e riktheu për rishqyrtim. Por, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Apeli e dënoi Dacin me 6 muaj burg të konvertuar në 1 vit shërbim prove. Kolegji i Posaçëm i Apelimit mori vendimin më 9 dhjetor 2021 për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Daci, duke pranuar kështu kërkesën e Komisionit Disiplinor. Ish-anëtari i KPA-së, akuzohej për veprën penale të ‘Falsifikimit të dokumenteve’.
Hetimi ndaj Dacit nisi pas denoncimit në Prokurorinë e Posaçme, SPAK nga Besnik Cani. Ishin pikërisht këto hetime ato që bindën trupën e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit dhe Apelin e GJKKO të dënojë Dacin. Sipas SPAK dhe GJKKO, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

