Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, ka thënë sot se qëndrimi i Serbisë është i qartë, përderisa se nuk ka hapa të mëtejshëm në zbatimin e marrëveshjes me Kosovën deri në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Daçiç në përgjigje të deklaratës së gazetarit se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Borell, ka thënë se është arritur një marrëveshje, por Vuçiç ka thënë se nuk ka marrëveshje, ka theksuar se më e rëndësishmja është se është thënë se ZSO duhet të formohet menjëherë.
“Deri në formimin e ZSO-së, ne nuk mund të diskutojmë më tej për hapat e zbatimit. Vuçiç tha qartë se ne pajtohemi të zbatojmë parimet deri në vijat tona të kuqe që i kemi theksuar”, tha Daçiç.
Duke kujtuar se ai dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nënshkruan formimin e ZSO-së, ai tha se do të ishte tepër optimist nëse thoshte se do të ndodhte menjëherë nesër, kur nuk kishte ndodhur në 10 vitet e mëparshme.
“Ky tani është gjithashtu një test për komunitetin ndërkombëtar,” tha Daçiç.
Ai po ashtu ka thënë se është përcaktuar qartë se ZSO-në do ta përbëjnë 10 komuna, nga të cilat katër janë në veri të Kosovës me shumicë serbe.
“Kemi ndenjur e kemi biseduar me ditë të tëra. Mezi ramë dakord për një gjë të tillë dhe tash e 10 vjet duhet të presim që Kurti të mëshirojë dhe ta formojë. Ne nuk besojmë në dëshirën e tyre, por i pranojmë garancitë e negociatorëve evropianë se kështu do të jetë”, tha Daçiç.
Në pyetjen se a do ta pranonte Serbia anëtarësimin e Kosovës në BE, ai u përgjigj se: Nuk na pyet askush asgjë në BE, sepse ne nuk jemi anëtare.
Takimi në Ohër
Kosova dhe Serbia mbyllën me dakordësim mbi aneksin e zbatimit të planit evropian në Ohër, i cili do të jetë i detyrueshëm për tu zbatuar nga të dy dy palët në momentin e publikimit. Përfaqësuesi i Lartë i unionit për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, tha se Kurti dhe Vuçiç nuk e kanë firmosur dokumentin. Pas 12 orëve negociata, ai doli në një deklaratë për media ku u shpreh se bisedimet u ndalën në hapa praktikë dhe më në fund mes dy vendeve pati bisedime konkrete dhe dy palët u pajtuan për aneksin e propozimit evropian. Për rreth 10 orë u diskutua vetëm mes Albin Kurtit, Borrel, Vuçiç dhe Lajçak, por në një moment u kërkua me urgjencë prania e Gabriel Escobar. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.

