Alba Exotic Fruit vazhdon të jetë nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme, për shkak të ngarkesave me kokainë që janë gjetura të fshehura në banane, por deri më tani nuk është konfirmuar asnjë vepër penale që ran ë ‘kurriz’ të administratorëve.
Top Channel shkruan se paralelisht me hetimin për ngarkesat me kokainë, kjo kompani është hetuar dhe për fshehje të të ardhurave. Mirëpo, sipas prokurorisë së kryeqytetit, vepra penale nuk ekziston dhe nuk faktohet.
Si prova u përdoren faturat e dorëzuara nga organet tatimore që shpjegojnë se gjithçka ndodhi për shkak të një gabimi fiskal.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur moskompetencë për dosjen e kokainës së kompanisë “Alba Exotic Fruits”, duke e deleguar atë në Prokurorinë e Durrësit me argumentin se nuk ka prova për grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit kriminal. Kështu që, i takon Prokurorisë së Durrësit që të provojë akuzën për trafik ndërkombëtar kokaine.
Për këtë aktivitet kriminal janë në burg dy vëllezërit Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni, edhe pse të dy i mohojnë akuzat e ngritura ndaj tyre.
Eduart Dauti është administrator dhe aksioner me 90% i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, ndërsa 10% të aksioneve i ka i vëllai, Barjon Gumeni, i cili ka ndryshuar mbiemrin. Në kontejnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine në 6 raste të ndryshme.

