Qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, janë duke votuar sot për kryetarin e ri të komunës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ ) në konferencën e dytë të mbajtur për procesin e votmit, njoftoi se deri në orën 11:00 në katër komunat në veri të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 313 qytetarë. • Situata aktuale është e qetë dhe procesi i votimit po vijon normalisht.
Pranë qendrave ka forca të shumta të policisë së Kosovës për të monitoruar situatën dhe shmangur incidentet. Para pak minutash votën e ka hedhur edhe Izmir Zeqiri kandidat i Partisë Demokratike për kryetar në Zubin Potok.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së veriut, Taulant Kelmendi poashtu ka votuar sot në qendrën e votimit në Kodër të Minatorëve. Të drejtën e votës e ka ushtruar edhe Kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviç, Kandidati për kryetar të Mitrovicës së veriut, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare dhe kandidati për kryetar i LVV-së, Erden Atiç në Lagjen e Boshnjakëve.
KQZ ka njoftuar se nga 44 qendra votimi sa janë gjithsej, vetëm 6 prej tyre do të shërbejnë për të njëjtin qëllim, ndërsa 13 të tjera do të hapen në kontejnerë, si qendra alternative. Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar zgjedhjet nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët. Në anën tjetër, autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve serb që të marrin pjesë në zgjedhje të cilat sipas tyre janë të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në veriun e vendit.
KQZ ka njoftuar se ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri ku gjithsej do të ketë 19 qendra votimi, ndërsa policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për krijimin e një mjedisi të sigurt për procesin zgjedhor.

