Prokuroria e Lezhës ka zbardhur të gjitha lëvizjet e atentatorit portugez, para dhe pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Portugezi Ruben Saraiva ka tentuar ta ekzekutojë Ardian Nikulaj në datë 17 dhe 18 Prill, por plani ka dështuar, megjithatë kamerat e sigurisë e kanë fiksuar duke lëvizur po me motor përgjatë itinerarit Gocaj Balldre-Lezhë-Shëngjin.
Burime për TvKlan bëjnë me dije se më 17 prill, në orën 15.48 ka parkuar mjetin e tij në kompleksin e pallateve “Bardh e blu” që ndodhet pranë restorantit “Coral” të viktimës. E po atë ditë ka pritur sinjal nga vëzhguesi anglez Harry Simpson, por rrethanat për të kryer vrasjen nuk kanë qenë të duhurat ndaj dhe është larguar në orën 19.31. Të nesërmen, më 18 Prill, kamerat tregojnë se me të njëjtën veshje, portugezi vjen me motor nga e njëjta rrugë dhe e parkon në orën 11.41, pranë restorantit. Kësaj here pret plot 9 orë brenda një kompleksi pallatesh të pabanuara. Vrasja sërish nuk ka ndodhur, pasi në të dyja këto ditë, Ardian Nikulaj për asnjë çast nuk ka qenë i vetëm, por është parë nën shoqërinë e familjarëve dhe të personave të tjerë.
Me datë 19 prill; Ruben Saraviva shihet ne kamera në itinerarin Gocaj- Balldre- Lezhë dhe ndalon në një pikë karburanti duke kërkuar “ten (10) lekë benzinë” dhe i ka zgjatur një kartmonedhë 2 mijë lekëshe të zhubravitur, e më pas ka pritur kusurin. 10 minuta para atentatit, ekzekutori shfaqet në kamera të njëjtin vend ku ishte parë gjatë dy ditëve të fundit, brenda kompleksit të pallateve “Bardh e Blu”. Brenda biznesit “Coral”, britaniku Harry Simpson ka qëndruar në lokal e Ardian Nikulaj nga ora 11.33 deri në momentin kur ndodhi vrasja ndërsa pinte birra dhe luante bilardo me një të mitur. Por ishte në ankth, pasi hynte dhe dilte disa herë nga lokali duke folur në telefon me portugezin.
Në momentin kur merr “ok” nga brenda, Saraiva niset për të kryer atentatin, por kthehet pasi informohet në kohë reaale se Ardian Nikulaj nuk ishte ulur në tavolinë, por hyri në kuzhinë. Pas disa sekondash, bashkëpunëtori e informon se Nikulaj u ul në tavolinë. Portugezi niset, hyn në lokal dhe realizon vrasjen. Me t’u siguruar se e ka vrarë shënjestrën e tij kthehet me vrap në vendin ku kishte parkuar motorin dhe ka hyrë në degëzimin për në fshatin Gocaj dhe ka fshehur mjetin pranë shtëpisë së Edmond Haxhiajt në fshatin Kakariq.
Pra për të paktën për tri ditë me radhë 28-vjeçari portugez ka përshkruar rrugën nacionale me një motor me targa të huaja EPP480, me pistoletë me vete, por në asnjë rast ai nuk është pikasur apo ndaluar të paktën nga Policia Rrugore.

