Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e shtetases britanike, Harriet Bridgeman, e cila ka ndihmuar në vrasjen e biznesmenit nga Lezha, Ardian Nikulajt. Arrestimi i saj është bërë disa orë pasi Policia e Shtetit njoftoi se policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej 6 shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.
NJOFTIMI I PLOTË:
Policia e Shtetit
Në vijim të punës kërkimore për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasja britanike H. B. Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të 2 personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.
Vrasja e Nikulajt u zbardh disa ditë më parë. Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku njoftoi se gjithçka ishte planifikuar nga vëllezërit Lestakaj, me të cilët Nikulaj ishte në hasmëri që prej vitit 1997. Dyshohet se Lestakajt kishin paguar një skuadër të huajsh për të ardhur për të kryer vrasjen. Sipas të dhënave të PSH-së, në rolin e ekzekutorit ishte portugezi Ruben Saraiva, ndërsa katër britanikë ishin vëzhgues. Ata janë identifikuar si: Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman. I gjithë ekipi menaxhohej nga Edmond Haxhia, djali i dajës i vëllezërve Lestakaj.

