Shkëlzen Gjonaj, me detyrë specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër, pasi u filmua duke vjedhur para në një makinë si dhe duke dhunuar një të ri në një lokal është përjashtuar nga Policia e Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm të Gjonajt, pas pamjeve që u bënë publike një natë më parë.
‘Në vijim të informacionit të dhënë nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, sqarojmë se:
Pas transmetimit të një rasti tjetër të abuzimit me detyrën nga ky punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj,” thuhet në njoftimin e policisë të nxjerrë në orët e vona të natës.
Ndërkohë AMP është duke kryer veprimet procedurale për arrestimin e tij.
Ky skandal u denoncua mbrëmjen e kaluar në ‘Fiks Fare’. Polici u filmua në një lokal në Shkodër duke goditur me shkelma dhe grushte një djalë të ri. Gazetari i ‘Fiks Fare’ takon policin, i cili thotë se nga makina ka marrë vetëm një fasoletë. Ndërkohë, për shkelmat e grushtet thotë se nuk e mban mend.
“Mund ta kem bërë, por për punë” thotë ai. Më tej ai deklaron se nëse i publikohen këto video, i rrezikohet karriera në Policinë e Shtetit.
Gazetarët e pyetën për videon e dytë, mirëpo ai thotë se nuk e mban mend dhe nuk e di nëse është apo ai!
“Kush ma ka bërë këtë punë?!” i thotë polici gazetarëve, ndërsa merr si përgjigje se nëse tregohet burimi, atëherë s’do kishte Fiks Fare!
“Tërë jetën po na shkatërroni, për hir të punës kam … Në qoftë se kam rrahur, kam rrahur njerëz për hir të punës!” ishte përgjigjja e tij, duke pranuar se e ka dhunuar atë qytetar.

