Nisma Thurje ka përshëndetur aksionin e SPAK dhe BKH, për arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, së bashku me 9 ish zyrtarë të Bashkisë së Durrësit. Nisma Thurje e cilëson një akt që tregon progres në luftën që drejtësia po i bën korrupsionit.
Po kështu theksohet se prangosja e Dakos është një hap i parë që duhet të shoqërohet me çuarjen përpara drejtësisë të të gjithë atyre që për 33 vite, e kanë zhvatur këtë vend. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Nisma Thurje sqaron se janë konkretisht këto para të vjedhura nëpërmjet korrupsionit dhe ryshfetit, të cilat kanë sjellë Shqipërinë në vendin e fundit jo vetëm në Europë, por edhe Ballkan, për pagën mesatare, apo për pensionet mesatare që nuk përmbushin as kërkesat për minimumin jetik.
Nisma Thurje nxit SPAK dhe BKH që këto arrestime të shoqërohen me sekuestrimin e gjithë parave dhe pasurive të paligjshme, që këta individë iu kanë rrëmbyer shqiptarëve, nëpërmjet vjedhjes së taksave apo pronave të tyre.
SPAK firmosi 10 urdhër-arreste në lidhje me një dosje që ka të bëjë me një leje ndërtimi për një pallat pa leje dhënë gati 11 – 12 vite më parë, dhe që është dëmtuar nga tërmeti i 2019. Dako akuzohet edhe për një tender konsulence të vitit 2014 – 2015 që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.
Delarata
Nisma Thurje përshëndet aksionin e sotëm të SPAK dhe BKH për arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, si një akt që tregon progres substancial në luftën që drejtësia po i bën korrupsionit që sot është në shkallë industriale. Arrestimi i Dakos është një hap i parë që duhet të shoqërohet me çuarjen përpara drejtësisë të të gjithë atyre që për 33 vjet, e kanë zhvatur këtë vend në përmasa kataklizmike, duke mos mbetur vetëm në nivelet e dyta e të treta, por duke shkuar tek kokat kryesore që e kanë drejtuar këtë zhvatje masive.
Janë pikërisht ato parà të vjedhura nëpërmjet korrupsionit dhe rryshfetit, ato që e kanë katandisur Shqipërinë në vendin e fundit jo vetëm në Europë, por edhe Ballkan, për pagën mesatare, apo për pensionet mesatare që nuk përmbushin as kërkesat për minimumin jetik. Nisma Thurje nxit SPAK dhe BKH që këto arrestime të shoqërohen me sekuestrimin e gjithë parave dhe pasurive të paligjshme që këta individë iu kanë rrëmbyer qytetarëve shqiptarë, nëpërmjet vjedhjes së taksave apo pronave të tyre. Ky duhet të jetë qëllimi final i luftës – Kthimi mbrapsht në buxhetin e shtetit të të gjitha parave që kanë vjedhur dhe individëve pronat që iu janë vjedhur.
Njëkohësisht ne nxisim SPAK që të çojë përpara edhe çështjet e tjera të korrupsionit që janë denoncuar në SPAK nga Nisma Thurje, të cilat po vazhdojnë të mbeten pa përgjigje edhe pse kanë kaluar disa vite nga denoncimi i tyre.

