Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive të Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
E vetme, ajo ka hyrë në oborrin e SPAK, e ka kërkuar nga roja orientim për të hyrë në godinë, ndërsa ende nuk dihet se përse ka shkuar për të dëshmuar. Pas një ore ajo ka dalë por nuk ka pranuar se ka shkuar për të dëshmuar para hetuesëve dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme ajo ka thënë për mediat vetëm: Isha për një punë, s’kam asgjë për të thënë!

Bino ka mbajtur një sërë postesh drejtuese në Ministrinë e Shëndetësisë. E vetëm pak ditë më parë ishte SPAK në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u arrestua Sekretarja e Përgjithshme, Joana Duro dhe zyrtarja tjetër, Laureta Sheta. Të dyja akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Duro nuk e ka pranuar akuzën, dhe ka deklaruar se ka kryer vetëm detyrën.
Hetimi i udhëhequr nga prokurori Dritan Prençi, ka provuar se biznesmeni nga Lushnja që administron kompaninë e ndërtimit “Dricons”, Vladimir Topi ka paguar një shumë prej 3.3 milion lekë të vjetra tek sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, me qëllim fitimin e një tenderi me vlerë 8 milion lekë të vjetra. SPAK ushtroi kontrolle dhe në banesat e tyre, por nuk gjeti sende të paligjshme. Tenderi për të cilin thotë SPAK-u është zhvilluar në 22 Maj dhe i gjithë fondi limit i tij ishte 805 mijë e 872 lekë. Nga kjo llogari del se sekretarja e Përgjithshme e ministrisë mori rryshfet 41 për qind të fondit limit të tenderit.

