Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha sot në një konferencë për media se Brukseli është duke vendosur masa kufizuese ndaj Kosovës. Mediat e huaja raportojnë se sipas Stano disa prej masave kanë hyrë në fuqi.
“Nuk ka sanksione ndaj Kosovës, por ka një sërë masash apo propozime për një sërë masash, disa prej të cilave janë zbatuar menjëherë dhe disa janë ende në diskutim dhe anëtarët do të diskutojnë dhe vendosin nëse do të ndërmarrin masat e radhës. Spektri i masave është relativisht i gjerë, por ato mund të revokohen dhe janë të përkohshme dhe do të futen në përputhje me zhvillimin e situatës në terren”,- thotë Stano.
I pyetur për zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat e veriut të Kosovës, Stano ka thënë se pjesëmarrja ka qenë “e ulët, shumë e ulët dhe se nuk kanë sjellë zgjidhjen e duhur për situatën”.
“Zgjedhjet kontribuan vetëm në një përshkallëzim të ri të dhunës. Kemi një shpërthim tensioni dhe dhune. Ka kaq shumë probleme dhe sfida. Ne po përpiqemi të ndihmojmë në tejkalimin e krizës. Duhet të dalim nga kriza dhe të vazhdojmë procesin e qetësimit të situatës. I përsërisim thirrjet tona drejtuar kryeministrit Kurti, i cili në këtë rast nuk ka ndërmarrë hapa për të de-përshkallëzuar konfliktin,- u shpreh Stano.
Ai shtoi se aktivitetet diplomatike të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë dhe pse 27 anëtarë të BE-së kanë përgatitur masa kufizuese që do të zbatohen dhe që do të kenë efekte në raport me Kosovën.
“Ne ende presim që kryeministri Kurti të ndërmarrë hapa për deskalimin e menjëhershëm të konfliktit dhe nëse kjo nuk ndodh, pasojat do të jenë pezullimi i kontakteve të nivelit të lartë”,– tha Stano.
Çfarë po ndodh në veri të Kosovës ?
Një ditë më parë, (13 Qershor) kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se i ka dërguar Borrell një plan prej 5 pikash, që sipas tij, do të ndihmonte në uljen e tensioneve në veri.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri:
•Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
•Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
•Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
•Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
•Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave
Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç të vendosen në objektet komunale, me rezistencën e banorëve lokalë. Në tri këto komuna, vetëqeverisja lokale që funksionon sipas sistemit të Kosovës, është e vendosur në të njëjtat objekte ku punojnë edhe autoritetet paralele serbe. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj, kur grupe qytetarësh serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it në Zveçan. Tensionet vazhduan më tej në 13 qershor në Mitrovicën e Veriut, ku protestuesit serbë agravuan situatën, pas arrestimit të një prej organizatorëve të sulmeve ndaj trupave të KFOR. Protestuesit sulmuan efektivë të policisë, gazetarë madje dhe krerët e Listës Serbe.

