Ish-deputeti i Partisë Socialiste ka dalë sërish para togave të zeza, në një seancë ku avokatët mbrojtës të të pandehurve për dosjen e inceneratorit të Fierit do të paraqisnin konkluzionet në mbrojtje të klientëve të tyre. Sot, gjatë seancës, Alqi Bllako ka hedhur akuza të forta ndaj Prokurorisë të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, institucion që e ekuzon për “shpërdorim detyre”.
Në fjalën e tij në seancë, llako tha se rikthimi tek akuzat fillestare nga ana e prokurorit Dritan Prençi, duke anashkaluar vendimin e gjyqtares paraprake, tregon se është orkestruar goditja e tij në kuadër të një axhende të caktuar, por është ndalur me aq dhe nuk ka dhënë detaje të tjera.
Alqi Bllako pretendon se nuk ka qenë zyrtar i lartë publik, por funksionar i lartë civil, teksa paralajmëroi se shkeljet e konstatuara do ti ankimojë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe deri në Strasburg.
“Shkelja e ligjit është aq flagrante sa nuk di nëse ka të bëjë me injorancën profesionale apo një hakmarrje personale. Vetëm SPAK mund të akuzojë për një detyrë që nuk ka qenë detyra ime. Standart i hapur esktraligjor, duke çuar përpara një axhendë hakmarrjeje personale ndaj personit tim. Kush konsiderohet funksionar i lartë shtetëror e përcakton Kushtetuta. E ftova prokurorin në seancën paraprake të citonte një ligj të vetëm se ku bazohet, nuk dha sqarime sepse diçka e tillë nuk ekziston. Është njësoj si gjykata të çojë për gjykim çështjen me akuzën shpërdorim detyre, ndërsa në konkluzionet përfundimtare prokuroria të ngrejë akuzën vrasje me paramendim. Është haptazi shpërdorimi i prokurorit, me qëllim hakmarrjen personale. Një atentat ndaj gjykatës paraprake. Një shkelje e tillë jo vetëm do ankimohet në KLP, por deri në Strasburg,”- ka deklaruar Bllako në fjalën e tij.
Në këtë seancë ish-deputeti socialist është mbrojtur nga dy avokatë të tjerë ndërkohë që ka njoftuar se Sokol Hazizaj nuk do të jetë më avokati i tij, por nuk i ka bërë me dije arsyet. Dy avokatët e rinj, Artan Kodheli dhe Eduart Sheko pretendojnë se në këtë fazë të gjykimit kur është pranuar gjykimi i shkurtuar nuk mund të ketë ndryshime të akuzës.
DISKUTIMET NË SALLË:
Artan Kodheli: Rëndimi i akuzës për Bllakon është i paligjshëm dhe për ti bërë presion gjykatës në momentin e konkluzioneve përfundimtare. KKP e rregullon në mënyrë shterruese qëndrimet që duhet të mbajë prokurori. Gjykata ka konkluduar se për Alqi Bllakon, do të ketë shpërdorim detyre dhe korrupsion aktiv, jo si funksionar i lartë shtetëror. Asnjë organ akuze nuk mund të ndryshojë një vendim të formës së prerë sidomos në këtë fazë të gjykimit. KPP ndalon kategorikisht një vendim të tillë, jemi në një procedim të gjykimit të shkurtuar. S’mund të ketë fakte të reja në gjykim të shkurtuar. Është veprim arbitrar i prokurorit. E akuzon për shpërdorim detyre duke mos cituar asnjë ligj dhe duke shkelur 10 dispozita ligjore. Prokurori shpërdoron detyrën duke ngritur akuza për shpërdorim detyre. Sekretari i përgjithshëm është funksion i lartë civil.
Eduart Sheko: Prej 18 muajsh ndjekje inkuizitore ndaj Alqi Bllakos me mjete ekstra-ligjore. Prokurori e ka pranuar këtë kërkesë për saktësim akuze. Nëse ishte kundër, ta ankimonte jo ta linte për ta bërë tani. Ky është një akt i pabesë që bëhet pikërisht në këtë fazë.
Alqi Bllako është i pandehur për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Për ish-zyrtarin e Partisë Socialiste, Alqi Bllakon kërkon 7 vite që me gjykim të shkurtuar shkon në 4 vite e 8 muaj. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi. Por, Koka ndodhet pas hekurave për këtë çështje prej më shumë se dy muajsh, edhe pse e ka apeluar disa herë masën e sigurisë duke përdorur si justifikim edhe gjendjen e tij shëndetësore.

