Shtyhet sërish seanca në Gjykatën e Posaçmë për ‘Gërdecin’. GJKKO vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish ministrit Fatmir Mediu.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet me 7 korrik në orën 08:30. Ishte SPAK ai që kërkoi ka kohë për njohjen me prokurat e posaçme të paraqitura në seancën e sotme nga avokati Dorian Matlija i cili është përfaqësuesi i viktimave nga shpërthimi.
Pjesë e seancës së sotme ishin edhe të gjithë personat që janë dëmtuar nga shpërthimi ku mbeten të vrarë 26 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, ku i vetmi i pandehur për shpërdorim detyre është ish-ministri.
Por pse akuzohet Fatmir Mediu? SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

