Ministria e Jashtme greke ka reaguar në lidhje me vendimin e GJKKO-së për moslejimin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri që të betohet ditën e nesërme si kryebashkiak. Në njoftimin e MJP-së greke, thuhet se ky vendim është qëllimi i autoriteteve shqiptare që ta privojnë Belerin pa asnjë dënim përfundimtar. Po ashtu Greqia ka theksuar se Shqipëria si kandidate për anëtarësim në BE, duhet që të respektojë shtetin e së drejtës.
“Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për të marrë një leje të posaçme, në mënyrë që të jetë pjesëmarrës nesër në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak, si dhe të bëjë betimin dhe të marrë zyrtarisht detyrën, u rrëzua sot. Ky refuzim tregon tani, pa asnjë dyshim, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë atë, pa një dënim përfundimtar dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e zonës. Si kandidate për anëtarësim në familjen europiane, Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtën e pafajësisë deri në zhvillimin e gjyqit”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme greke.
Fredi Beleri s’do mund të marrë pjesë ditën e nesërme në ceremoninë e betimit si kryebashkiak i Himarës. Ditën e sotme u rrëzua kërkesa e tij nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Beleri, kërkoi leje nga Drejtoria e Burgjeve, SPAK e GJJKO për të dalë nga paraburgimi për ceremoninë e marrjes së detyrës në Këshillin Bashkiak të qytetit të martën e 27 qershorit në ora 11.00, mirëpo s’do mund të marrë pjesë.

