5 persona janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë për vepra të ndryshme penale. Mësohet se në pranga ka rënë një 24-vjeçar, i cili po drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike. U ndalua dhe një 40-vjeçar, pasi Gjykata e Tiranës i kishte vendosur arrest me burg për shitje të lëndëve narkotike. Në pranga përfundoi dhe një 29-vjeçar, pasi ushtoi dhunë ndaj kunatit të tij. Policia ka arrestuar edhe një person me iniciale H.Gj pasi është aksidentuar me urbanin e Unazës, teksa po lëvizte në sens të kundërt. Në pranga ka rënë edhe një 31-vjeçar për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. R., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Sami Frashëri” është kapur duke drejtuar mjetin nën efektin e lëndëve narkotike, si dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar, punonjësit e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Narkotikëve ndaluan shtetasin R. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin F. Sh., 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj kunatit të tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit: – H. Gj., banues në Tiranë, pasi në rrugën “5 Maji”, duke drejtuar motomjetin e tij pa leje drejtimi dhe në sens të kundërt me lëvizjen, është përplasur me autobusin me drejtues shtetasin P. F. Si pasojë është dëmtuar një i mitur 12 vjeç, (pasagjer në motomjet), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën; – T. I., 31 vjeç, banues në Yzberisht, pasi u kap duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.
–
Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi H. D., 56 vjeç, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa, vëllai i tij, shtetasi M. D., 45 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

