Avokati Demir Çiftja ka deklaruar se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës së Elbasanit për masën e sigurisë që ka vendosur për grupin prej 45 personash që u arrestuan disa ditë më parë, për trafik narkotikësh. Gjykata vendosi ditën e djeshme arrest me burg për 37 prej tyre, ndërkohë që Çiftja ka theksuar se ka pasur hapësira për masa më të lehta sigurie.
“Sapo dolën nga masat e sigurimit të caktuara nga gjykata e Elbasanit. U vlerësuan i të ligjshme ndalimet në flagrancë, dhe si masë sigurime për pjesën më të madhe të personave u caktua masa arrest me burg. Jo të gjitha kërkesat e bëra nga mbrojtja u morën parasysh nga ana e gjykatës. Ne do akimojmë në gjykatën e apelit në tiranë. Ka vend për tu caktuar një masë sigurimi më e butë se ajo e caktuar nga gjykata e shkallës së parë në Elbasan. Të gjithë në momentin e dhënies së dënimit kanë qenë të pranishëm”, tha avokati.
Në operacion kanë marrë pjesë 490 punonjës policie dhe 5 dronë, ndërsa kërkimet janë zhvilluar në 52 banesa dhe 18 lokale. Operacioni është shtrirë në Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh, Librazhd, Prrenjas dhe Pogradec. Në pranga kanë ranë 45 persona, mes tyre edhe biznesmenë, shpërndarës droge, furnizues si dhe drejtues të grupeve kriminale. Nga personat e arrestuar, 12 prej tyre ka qenë dënuar edhe më parë në fushën e narkotikëve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale.

