Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim në GJKKO 4 zyrtarë të Bashkisë së Dimalit dhe dy persona të tjerë. Mësohet se këta akuzohen për veprat penale të ushtrimit dhe ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike po ashtu dhe për korrupsion pasiv.
Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se për gjykim është dërguar përgjegjësi i shërbimeve në Bashkinë Dimal Arben Guraj, drejtori i Zyrës së Urbanistikes Altin Pali, shef i IKMT-së Agim Cunaj, përgjegjëse sektori e urbanistikës pranë Bashkisë Dimal Valentina Jançe, inxhinierin Arjan Demiri si dhe menaxher i një subjekti privat Vait Koshi.
Shkak i arrestimeve janë bërë abuzimet me lejet e ndërtimit, Kjo pasi zyrtarët e bashkisë Dimal jepnin leje ndërtimi kundrejt ryshfetit dhe më pas imponohej një kompani ndërtimi me qëllim që ndërtimi në terren nga qytetarët të bëhej pikërisht nga kompania e preferuar e zyrtarëve të bashkisë. Për çdo leje ndërtimi, sipas dyshimeve të hetimit ata u merrnin qytetarëve nga 2500 euro deri në 3000 euro.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e kallëzimit nr. 155 datë 23.07.2020, ka regjistruar procedimin penal nr. 214, të vitit 2020 për veprat penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, prashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre“, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:
Arben Guraj (me detyrë përgjegjës shërbimesh pranë Bashkisë Dimal), akuzuar për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 /2 dhe 25 i K.Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i K.Penal si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga neni 280 i K. Penal.
Altin Pali (me detyrë drejtor i Zyrës së Urbanistikës, Bashkia Dimal), akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 259/2 të K.Penal.
Valentina Jançe (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës përgjegjëse sektori e urbanistikës prane Bashkisë Dimal), akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 259/1 të K.Penal.
Agim Çunaj (me detyrë përgjegjës i IKMT pranë Bashkise Dimal), akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Arjan Demiri (inxhinier), akuzuar për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i K.Penal.
Vait Koshi (menaxher i një subjekti privat), akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 I K. Penal.

