Gentian Bejtja mundi t’i shpëtonte atentatit që ishte organizuar për të vetëm sepse zbriti rrugës, pa mbërritur në vilë. Ky është një detaj i ri i zbuluar nga atentati mafioz në Krujë pak pas mesnatës së të hënës (4 korrik) ku mbeti i vdekur 29-vjeçari Ramazan Sino.
Autorët e krimit, që dyshohet se ishin 3, kanë zbritur nga makina pak metra larg vilës së Gentian Bejtjas dhe kanë shkuar në këmbë në drejtim të banesës. Ata kanë hapur zjarr në momentin kur viktima ka qenë duke zbritur nga makina së bashku me nipërit e tij (fëmijët e mitur të Gentian Bejtjas).
Sipas dëshmitarëve të ngjarjes autorët kanë qëlluar tek banesa dhe më pas edhe në rrugën kryesore ku u gjetën 4 gëzhoja. Në total policia ka sekuestruar 28 gëzhoja. Viktima (kunati i Gentian Bejtjas) ka punuar si shofer në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit. Mësohet se Gentian Bejtja ka qenë në shtëpi një natë përpara krimit.
Ka dyshime se autorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e tij dhe mbrëmjen e së hënës ka qenë në makinë së bashku me kunatin, Ramazan Sinën, por ka zbritur rrugës pa mbërritur në vilë.

