Vijon zbulimi i detajeve mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, ku mbi i vrarë Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë, 10 dhe 13 vjeç të Gentian Bejtjes, që ishte edhe shënjestra e atentatit në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Një nga të afërmit e Gentianit për policinë është shprehur se për shkak të errësirës ka arritur të shquajë vetëm hijet e autorëve, që ndodheshin në këmbë dhe makinën e kishin parkuar në rrugën kryesore. Sipas tij, pasi ka dëgjuar rreth 20 të shtëna arme, autorët janë larguar për disa metra dhe kanë qëlluar sërish në drejtim të banesës së Bejtjes për herë të dytë.
Për këtë ngjarje janë shoqëruar për tu marrë në pyetje më shumë se 10 persona, që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Ende policia nuk ka asnjë pistë që çon në zbulimin e atentatorëve, të cilët kanë qëlluar në drejtim të banesës së Gentian Bejtjas, një person me precedent penal.
Viktima Ramazan Sino ishte kunati i Bejtjes, konkretisht vëllai i gruas. Ky ishte atentati i tretë ku mendohet se ka shpëtuar Bejtja.

