Edhe pse ka kaluar gati një javë nga vrasja e dyfishtë e babë e bir në fshatin Sumë të Dukagjinit, ende nuk ka asnjë person të arrestuar. Gjokë dhe Eduard Gurra, u ekzekutuan me 8 plumba kallashnikovi, ndërsa organet e hetimit deri në këtë fazë kanë mbetur në kuadër të dyshimeve mbi disa persona, banorë të zonës.
Gazetari Elton Qyno shkruan për “Ora News” se një pjesë e banorëve të zonës janë marrë në pyetje, por dëshmitë e tyre nuk kanë pasur asnjë interes lidhur me hetimet, pasi kanë raportuar se kanë dëgjuar vetëm të shtënat me armë zjarri. Por po ashtu, në Komisariatin e Shkodrës është shoqëruar dhe personi me të cilin një vit më parë Gjokë Gurra, është konfliktuar për shkak të biznesit të druve.
Ai ka treguar se ditën e krimit, nuk ka qënë fare në fshatin Sumë. Por gjatë gjithë ditës ka qëndruar në Shkodër. Për të bindur policinë, personi ka vënë në dispozicion dhe disa pamje filmike, ku dukej silueta e tij në Shkodër.
Vrasjen e dyfishtë, Policia dyshon se e kanë kryer dy persona, njëri që në mesditë ka djegur shtëpinë e Gjokë Gurrës dhe një i dytë që ka zënë pritë me armë në hyrje të fshatit Sumë. Hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë janë duke u kryer, lidhur me pistën e kultivimit të drogës në zonën e Dukagjinit dhe tregtisë së lëndës drusore.
Ndërsa pista e dytë, është ajo e konflikteve për shkak të tregtisë së lëndës drusore. Gurra, dikur ka shërbyer në policinë e Shkodrës, por kohët e fundit merej me aktivitetin e tregtimit të lëndës drusore për zjarr. Ai kishte zënë disa zona pyjore për ti prerë dhe lëndën drusore e zbriste në Shkodër ku e shiste. Për shkak të këtij aktiviteti Gurra, një vit më parë është konfliktuar me një bashkëfshatarin e tij, me të cilin janë përplasur me grushta.
Konflikti është mbyllur më heshtje, por ky sherr mund të ketë shërbyer si indicie për goditjen e babë e bir me 8 plumba kallashnikovi. Megjithatë hetimet ende vazhdojnë.

