SPAK dorëzon zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Shqipërisë për arrestimin e ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj.
Në Kuvend ka mbërritur kërkesa, për vendosjen e masën së sigurisë dhe për të ushtruar kontroll në shtëpinë deputetit apo edhe për të kontrolluar tabulatet e tij telefonike.
Tashmë do duhet që Kuvendi të japë leje që të ekzekutohet kjo kërkesë. Pritet që të mblidhet edhe Këshilli i Mandateve, që të shqyrtohet kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit dhe më pas të kalohet në seancë plenare.
SPAK ka bërë të ditur 3 akuzat që rëndojnë mbi ish-ministrin Arben Ahmetaj. Ahmetaj akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Kërkesa për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit Arben Ahmetaj mban datën 7 korrik 2023 dhe është firmosur nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani.

Më 22 qershor Arben Ahmetaj u thirr për herë të parë në SPAK, u pyet për rreth 6 orë si person nën hetim. Hetimi për çështjen e inceneratorëve tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash. Ende nuk ka një reagim nga Partia Socialiste rreth kërkesës së SPAK për arrestimin e Ahmetajt.
Ndërkohë, pas këtij lajmi, kryeministri Edi Rama anuloi vizitën në Vlorë dhe aktualisht po zhvillon një mbledhje në ‘Vila 30’ në Tiranë.

