Në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë u diskutua sot në parim projektligji “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të dytë Mjekësi e Përgjithshme në IAL publike”.
Ky projektligj detyron studentët e mjekësisë që të punojnë për 5 vite në vendin tonë, dhe më pas kanë të drejtë që të largohen nga Shqipëria, nëse do të shprehin interes.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, bëri përgjegjës vendet e BE-së, në lidhje me largimin e mjekëve nga Shqipëria. Ajo është shprehur se nuk ka ceduar sistemi shqiptar, por vendet e BE-së kanë liberalizuar të gjitha procedurat, për t’i punësuar mjekët që vijnë nga shtetet e tjera. Sipas saj është shqetësuese, pasi mjekët pranohen në një vend pune, edhe pa u njohur diplomën.
Ministrja Kushi vuri në dukje se sistemi është më i mirë se ai që kishim, por numri i largimeve është rritur, pasi çdo ditë në gazetat e vendeve të BE-së ka njoftime ku kërkohen punonjës në fushën e shëndetësisë e jo vetëm.
Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, u shpreh se ky projektligj është për të ardhmen e të rinjve, që duan të studiojnë në degën e mjekësisë. Rakacolli tha se ka mungesë mjekësh. Deputetja e PD-së, Ilda Dhori mbështeti protestat e studentëve, duke shtuar se qeveria duhet të marrë masa të tjera për të kuptuar se ku e ka zanafillën fenomeni i eksodit të mjekëve.
Sipas saj, protestat e studentëve janë të drejta, pasi po mbrojnë të drejtën e tyre për t’u arsimuar në publik. Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka reaguar ashpër në lidhje me projektligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në vendin tonë, dhe më pas të marrin diplomën. Ai ka apeluar ndaj deputetëve të Partisë Socialiste që të lënë mënjanë partinë, por të mos miratojnë një ligj vetëm për 5 vite.

