Debatet mes deputetëve socialistë dhe demokratë për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj po vazhdon me tone të larta. Ka qenë deputeti Gazment Bardhi, i cili ka kërkuar që seanca të mbahet me dyer të hapura, por kjo është refuzuar nga kolegët socialistë. Në këto momente, Bardhi i është drejtuar deputetes Ermonela Felaj, duke i thënë se emri i saj është në dosje.
“Emri yt është në këtë dosje. Ti ke frikë sepse emri yt është në dosje. Lëri njerëzit të kuptojnë që ti njësoj si Ahmetaj ke qenë pro ndërtimit të inceneratorëve. Je në konflikt interesi. Mazhoranca ka frikë që shqiptarët të mësojnë të vërtetën për inceneratorët. Mazhoranca po ndihmon Ahmetaj që të arratiset dhe SPAK mos ta kapë atë”, tha Bardhi.
Ishte kërkesa e SPAK për heqjen e mandatit dhe arrestimin e ish-zv.kryeministrit, por edhe për zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura. Vetë Ahmetaj nuk merr pjesë në mbledhje, por përfaqësohet nga dy avokatët e tij.

