Jepet vendimi për Arbër Paplekajn, të riun e akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje kjo e ndodhur pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në Elbasan. Sipas vendimit të gjykatës së Elbasanit, Arbër Paplekaj është dënuar me 22 vite burg, për akuzën “vrasje në rrethana cilësuese”.
Një javë më parë prokuroria në konkluzionet e saj përfundimtare kërkoi 25 vite burg për Arben Paplekajn duke i qëndruar akuzës në nisje të gjykimit, “vrasje në rrethana cilësuese”.
Gjykata ka dhënë dënimin me një vit shërbim prove për Nikollaq Pallën dhe Albert Nushi, dy ish-zëvendësdrejtorë të policisë së Elbasanit në kohën kur ndodhi vrasja. Ndërkohë, për 6 efektivët e policisë është dhënë dënimi me 16 muaj shërbim prove.
Si ndodhi vrasja?
Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Palekaj, ishte shoqërues i drejtuesit politik të PD-së të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.
Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.

