Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka paralamëruar se nuk do të kthehet në Shqipëri, edhe pse SPAK kërkon arrestimin e tij opër aferën e inceneratorëve. Në reagimin e tij të parë, pas kërkesës së SPAK, Ahmetaj i ka dërguar një mesazh gazetarit Blendi Fevziu, duke i thënë se do të shfaqet kure vërteta të ketë marrë rrugë. Ahmetaj ka mohuar çdo akuzë që është ngritur ndaj tij, duke thënë se të gjitha të dhënat që kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK, janë të pa vërteta. Po ashtu ai ka deklaruar se Klodian Zoto nuk ka qenë kurrë pronar i vilës që ka marrë bashkëshortja e Ahmetajt.
Blendi Fevziu: Ne i kërkuam Ahmetajt që të dali në lidhje të drejtpërdrejt në pjesën e dytë, mesazhi është i tij.
Mesazhi i Ahmetajt:
Do dal kur ju të lexoni dosjen, do dal kur ju të tregoni që akuzohem se kam pasur njohje e shoqëri me një njeri që në atë kohë ka qenë njeri normal dhe në punët e veta. Do dal kur të lexoni që akuzohem për korrupsion se ish-gruaja ime ka shitur metra katrorë në treg të lirë. Do dal kur të kuptohet që bashkëjetuesja ime dhe familja e saj ka blerë me transaksione të pastër bankar një pronë. Do dal kur të kuptoni dhe lexoni dhe faktoni se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë po kurrë pronar i asaj prone që të ishte në gjendje që ta falte apo dhuronte. Do dal kur të lexoni gjithë letrat e mia në favor të interesit publik si ato që shyqyr që dolën sot. Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë. Do dal kur ju të bëni pyetje të vërtetë se ku ka favorizuar Arben Ahmetaj. Do dal kur të kuptoni që s’kam pasur asnjë lidhje me procedurën. Atëherë do dal. Do dal kur të lexoni se ato biseda të 2012 janë komplet impotente në aspektin e lobimit apo favorizimit aq më tepër në opozitë.
Çfarë ka ndodhur?
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj. Kërkesa mban datën 7 korrik 2023 dhe është firmosur nga kreu i SPAK, Altin Dumani. SPAK kërkon lejen për të kontrolluar banesën e deputetit apo edhe për të kontrolluar tabulatet e tij telefonike. Që të ekzekutohet kjo kërkesë do duhet që të jepet leja nga Kuvendi, ndërsa pritet edhe mbledhja e Këshillit të Mandateve, që të shqyrtohet kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit dhe më pas të kalohet në seancë plenare, nëse Ahmetaj nuk njofton heqjen dorë nga mandati, pasi ligjvënësit janë imunë dhe nuk mund të arrestohen pa lejen e Kuvendit.

