Ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në Angli. Kjo u bë e ditur nga avokati i tij Henrik Ligori, i cili përpara SPAK pretendoi se ai do të kthehet në Shqipëri, vetëm në momentin që do të ketë fituar lirinë.
‘Ndodhet në Angli pranë vajzës, do vijë kur të fitojë lirinë’
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ditën e sotme kërkesën e SPAK-ut që të arrestojë deputetin Arben Ahmetaj. Me 117 vota pro dhe 3 abstenim, deputetët autorizuan SPAK-un që të ushtrojë edhe kontroll në banesën e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj.
Deputetët të cilët abstenuan ishin Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka. Të gjithë deputetët e tjerë që ishin të pranishëm votuan pro. Me këtë vendim, Kuvendi heq imunitetin e Ahmetajt, por ky i fundit vijon ta mbajë mandatin e deputetit. Ahmetajt mund t’i hiqet mandati në rastin e vendimit të formës së prerë nga gjykata ose nëse ai jep dorëheqje.

