Sherri mes një çifti mund të kishte përfunduar keq, por të mos ishte për ndërhyrjen e Policisë së Durrësit. Paraditen e sotme, uniformat blu kanë ndërhyrë në konfliktin mes dy familjeve në fshatin Arapaj të Durrësit pas prishjes së martesës mes të rinjëve. Tre persona janë arrestuar, mes të cilëve dhe dhëndri, ndërsa një person i katërt, “nusja”, është proceduar në gjendje të lirë.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se 52-vjeçari, i identifikuar si Gëzim Demiri së bashku me vajzën e tij H.D. 20 vjeçe shkuan në banesën e dhëndrit Korab Uka, 33 vjeç në fshatin Arapaj për të prishur martesën. Diskutime u agravuan dhe nisi përplasja fizike. Pas një denoncimi, uniformat blu kanë ndërhyrë shpejt duke çuar në pranga dhëndrin 33-vjeçar dhe nënën e tij 59-vjeçe, si dhe krushkun e tyre 52-vjeçar.
Ndërkohë në gjendje të lirë nisi hetimi dhe për nusen 20-vjeçare të të arrestuarit. Po kështu, Policia gjeti në banesën e dhëndrit një armë zjarri kallashnikiv me 30 fishekë, që u sekuestrua.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit në një familje. Vihen në pranga 3 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe një karikator me 30 fishekë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Arapaj po ndodhte një konflikt mes dy familjeve, që mund të përshkallëzohej deri në përdorimin e armës së zjarrit, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim neutralizimin e këtij konflikti.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në vendin e ngjarjes, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. U., 33 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”; N. U., 59 vjeçe, banues në fshatin Arapaj, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe podhimi i armëve, armëve shperthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna ne familje”; G. D., 52 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Durrës, për veprën penale “Dhuna në familje”. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen H. D., 20 vjeçe, banuese në fshatin Arapaj, Durrës, për veprën penale “Dhuna në familje”. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. U., gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe 30 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e para rezulton se shtetasi G. D. dhe vajza e tij, shtetasja H. D. kanë shkuar në banesën e shtetasit K. U., në Arapaj, me qëllim prishjen e martesës së shtetasve H. D. dhe K. U. Në banesë, këta shtetas janë konfliktuar dhe kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit dhe për pasojë kanë pësuar dëmtime fizike. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

