Ndonëse nisja e operacionit “ Forca e ligjit” u trumbetua si një sukses, të dhënat por dhe vendimi i gjykatës për disa nga të arrestuarit ka çuar drejt bllofit policinë.
Në Fier para disa ditësh forcat operacionale prangosën disa persona të cilët sipas bluve janë me rrezikshmëri të lartë kriminale, të akuzuar për vrasje, rrëmbim personi apo dhe trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Ndonëse në njoftimin e policisë nuk përmendet se kë kanë rrëmbyer apo vrarë ajo që të bën përshtypje është se e vërteta e operacionit është krejt ndryshe.

Prej ditësh një automjet mbahej nën vëzhgim nga policia e Vlorës.Në ndjekje e sipër makina humbet disa here por në afërsi të Fierit në fshatin Fermë Çlirim makina bie sërish në gjurmë ndalon në një pikë karburanti në pronësi të Kujtim Kuçit i arrestuar tashmë nga policia.
Prej mjetit dalin disa persona të cilët futen në karburant dhe në këtë moment blutë bëhen gati për ndërhyrje.
Por ajo që operacionalet nuk dinin është se personat e prangosur nuk ishin ata që kërkonin.
Në momentin e hyrjes në barin e karburantit I cili duket dhe nga pamjet, efektivët janë në ecje por diçka ndodh dhe ata vrapojnë drejt të arrestuarve.
Ajo që ndodh në krahun tjetër të pamjeve të cilat policia nuk i ka publikuar është Bashkim Ahmeto i cili sapo sheh efektivët tenton të largohet me vrap por arrestohet. Blutë i gjetën atij të fshehur poshtë një vazoje lulesh vetëm 100 gramë hashash. Tentativa për tu larguar me vrap e 47 vjeçarit bëri që në pranga të binin Kujtim Kuçi dhe Dritan Tusha ndonëse personat për të cilët nisi operacioni nga Vlora nuk ishin ata.
Por jo vetëm kaq. Policia në emër të operacionit “Forca e ligjit” sinonim i goditjes së grupeve të strukturuara kriminale u sekuestroi të arrestuarve 4 automjete, 2 armë gjahu, një detektor valësh 2 thika 8 telefona dhe 900 euro.
Sipas bluve për ta nisi dhe hetimi pasuror por dicka e tillë u hodh poshtë në gjykatë. Gjatë caktimit të masës së sigurimit për Kujtim Kuçin të cilit i gjetën dhe një pistoletë të dyshuar pa leje,togat e zeza vendosën arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve. Nëse do të bëhej fjalë për grup të strukturuar criminal masa do të ishte e ndryshme.
E njëjta histori dhe me “Tatën” e Shkodrës. 50 vjeçari shfaqte të dhënat e tij madje reklamonte “biznesin” e shfrytëzimit të prostitucionit në çdo rrjet social të mundshëm,por për policinë bëhej fjalë për grup të strukturuar kriminal.

Këto janë dy goditjet e para të policisë nën petkun e “Forcës së ligjit” por nga të dhënat janë thjesht referime të viteve të mëparshme të mbetura në skedarët e policisë por që për të cilat nuk ishte vepruar asnjëherë.
