
DOSJA “HAXHIAJ” – SI U SHNDËRRUA OPERATIVI I FORCËS SPECIALE NË “SYTË E BLERË” TË TRAFIKANTËVE
Hetimi që zbuloi rrjetin e komunikimeve sekrete, pazaret për informacion dhe lidhjet me trafikun ndërkombëtar të kokainës
Një dosje prej qindra faqesh, e siguruar nga Gjykata e Posaçme, hedh dritë mbi një nga rastet më të rënda të infiltrimit të strukturave kriminale brenda Policisë së Shtetit. Në qendër të skandalit ndodhet Igli Haxhiaj, oficer i Forcës së Posaçme Operacionale, i cili akuzohet se ka shitur informacion sekret tek trafikantët e kokainës në shkëmbim të pagesave deri në 15 mijë euro.
Hetimi ndërkombëtar, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe zvicerane, ka zbuluar se Haxhiaj përdorte aplikacionin e koduar SkyECC për të komunikuar me pjesëtarë të rrjetit të trafikut të drogës, duke u dhënë atyre informacion jetik: kush ishte në përgjim, ku vendoseshin pajisjet e vëzhgimit, cilat telefona ishin të ndërhyrë dhe cilët persona rrezikonin arrestimin.
“KA NJË KOSTO” – PAZARI I PARË I HAXHIAJT PËR TË SHITUR SEKRETE
Komunikimet zbuluese me kodin 8AIVIH
Hetimi nis të marrë formë kur oficerët e SPAK analizojnë komunikimet e SkyECC. Në datën 05.12.2020, Haxhiaj – me kodin HY67U7 – flet me një person të identifikuar si 8AIVIH, për të cilin SPAK thotë se është ndërmjetës mes tij dhe trafikantit të kokainës Dario Myftiu.
Në këto biseda Haxhiaj tregon se:
- ka dijeni për përgjimet ndaj Myftiu,
- është gati t’i shesë informacion,
- dhe kërkon pagesë.
Disa nga mesazhet kyçe:
(citimet janë të marra fjalë për fjalë nga dosja zyrtare)
8AIVIH: “Cfar halli ka ky cuni qe mund ta ndihmosh.”
Haxhiaj: “Besoj ai e di qe ka një kosto… duhet të jemi në kontakt me mua që mos bjerë në sy.”
Më tej ai pranon qartë se po ofron diçka ilegale:
Haxhiaj: “Ti bëjmë gjërat sikur ndodhin rastësisht.”
TAKIMI ME DARION – HAXHIAJ OFRON “NDIHMËN” ME PAGESË
Çfarë i tha operativi trafikantit në SkyECC
Po atë ditë, më 05.12.2020, Haxhiaj komunikon drejtpërdrejt me Dario Myftiun, përdorues i kodit 41L8YM.
Në këtë bisedë, Haxhiaj i bën të ditur:
- se Myftiu dhe familja e tij janë në përgjim,
- se ai vetë ka akses në informacion të klasifikuar,
- dhe se mund ta ndihmojë kundrejt pagesës.
Haxhiaj: “Cunat më thanë që kishe merak për gjoba… Po me sigurove ti që s’më nxjerr në biseda takohemi dhe bashkë… kjo punë ka një kosto.”
Dario Myftiu: “Takona nga e hëna.”
Në vijim, Haxhiaj e sqaron çmimin:
Haxhiaj: “Jemi 3 veta nga 5 mij vlla.”
(Bie fjala për 5 mijë euro për person, pra 15 mijë euro.)
CAKTIM MASE IGLI HAXHIAJ ETJ -…
Dhe bën paralajmërim:
Haxhiaj: “Ti, nusja, nona jote, Asti… i keni telefonat në përgjim. Nqs do info të tjera bojnë lek.”
DËSHMIA MË E PASTËR: “KAM NJË INFO DHE E SHES, A E DO?”
Biseda e 6 dhjetorit e çon hetimin drejt konfirmimit të korrupsionit
Një ditë më vonë, më datën 06.12.2020, Haxhiaj përsëri i shkruan ndërmjetësit 8AIVIH:
Haxhiaj: “Do i them: kam një info dhe e shes, A e do???”
Ky është momenti që SPAK e konsideron provë direkte të qëllimit korruptiv.
EPISODI I TRETË: OFICERI “PAZAR’ ÇMIMESH ME PERSONA TË TJERË
Biseda me kodin EC72PV – të paktën “5 mijë euro”
Më 14.12.2020, Haxhiaj vazhdon ndërveprimet me persona të tjerë të rrjetit:
Haxhiaj:
“Thuaj: si të japë lekët, ja themi ç’ka… sa herë të jemi mbrapa atij ta njoftojmë… O vllai të na japë noi kafe.”
EC72PV: “Po noi 5€, mos ta vrasim.” (5 mijë euro)
SPAK vëren se kjo përputhet me kërkesën e 15 mijë eurove (3 persona × 5 mijë).
PËRTEJ KORRUPSIONIT: HAXHIAJ SHFAQET EDHE SI “TREGTAR KOKAINE”
Morri porosi për çmime, sasi dhe transport ndërkombëtar
Dosja nuk ndalet tek korrupsioni. Ajo përmban dhjetëra biseda të tjera të Haxhiajt me trafikantë, ku diskutohet hapur:
- çmimi i kokainës në Hollandë, Spanjë dhe Shqipëri,
- cilësia e lëndës (“cola”, “111”, “rolex”),
- mënyra e transportit,
- porosi për grama, kile dhe mostra.
Shembuj nga dosja:
SEJRCV – 10.02.2021:
“O vlla, ma ço foton e asaj punës… dikush do ta shofi… a ke ndonjë mall të mirë?”
Haxhiaj:
“Kam Holland me 29 (mijë euro/kg)… t’përzime kam plot me 25.”
Ose me përdoruesin 1UN9CQ:
1UN9CQ: “Do një shok 20 buk në Hollandë…”
Haxhiaj: “Vllai, këtë ka tani, 28 ma le mua.”
SPAK e interpreton këtë si moskryerje detyre dhe si dëshmi të qartë se oficeri komunikonte e bashkëpunonte në tregtinë e narkotikëve, pa referuar asnjë rast.
SI FUNKSIONONTE SKUADRA E PËRBASHKËT HETIMORE
Pse Haxhiaj përbënte rrezik kritik për hetimin ndërkombëtar
Në dosje thuhet se që prej vitit 2019, Shqipëria, Italia dhe Zvicra kishin ngritur një Joint Investigation Team (JIT) për të monitoruar rrjetet e trafikut të kokainës.
Haxhiaj ishte pjesë operative në:
- instalimin e pajisjeve të përgjimit në automjetet e Myftiu,
- mbajtjen nën vëzhgim 24/7 të subjekteve të hetimit,
- mbledhjen e informacioneve të klasifikuara të hetimit.
